Ish-futbollistja Edonisa Aliu ka publikuar fotografi të bisedave në Messenger me një profil që mban emrin e Liridon Lecit, një ditë pasi e akuzoi trajnerin e KF Vëllaznimit për fyerje dhe sulm fizik pas emisionit “Dueli Sportiv”.
Në mesazhet e publikuara, të cilat datojnë nga viti 2022 dhe 2024, shihen shprehje si “Super pjeshk je”, “Ni kafe me dostin” dhe “Me trenerin e ardhshum te komtares”.
Aliu e ka kritikuar Lecin edhe për gjuhën që, sipas saj, ai përdor ndaj grave në studio televizive, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në sjelljen e tij.
“Deri në fund nuk do të ndalem për zbardhjen e rastit dhe të vërtetës sime!”, ka shkruar Aliu, duke paralajmëruar publikimin e materialeve të tjera.
Ndërkohë, akuzat për sulm fizik mbeten për t’u sqaruar nga organet kompetente.
