Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas raportit shtesë të Policisë së Kosovës, gjatë bastisjes së kryer më 25 tetor 2026, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje të tjera të armës.
Po ashtu, zyrtarët policorë kanë sekuestruar 115 gëzhoja, tri thika, një bajonetë dhe një sëpatë.
Të gjitha sendet e gjetura janë konfiskuar si prova materiale në kuadër të hetimeve për rastin, i cili është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.
Megjithatë, Policia nuk ka sqaruar nëse armët dhe mjetet e sekuestruara janë përdorur në kryerjen e vrasjes apo kanë lidhje të drejtpërdrejtë me krimin.
Për vrasjen e Arlinda Zekajt dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.