Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Vushtrri, ku një 33-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, duke e goditur me shqelm në bark, e më pas duke e nxjerrë me forcë nga shtëpia dhe duke e kërcënuar me jetë.
Sipas raportimit të Gazetës Sinjali, incidenti ka ndodhur më 24 tetor 2026, rreth orës 22:40, në rrugën “Ismajl Qemajli” në Vushtrri.
Viktima, rreth 28 vjeçe, ka denoncuar rastin në Polici, duke deklaruar se bashkëshorti i saj fillimisht e kishte goditur në bark, ndërsa më pas e kishte kapur për krahu dhe e kishte nxjerrë dhunshëm nga banesa, duke e lënë në rrugë.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se ishte kërcënuar me jetë nga bashkëshorti.
Gjatë hetimeve, Policia ka pranuar informacione për praninë e armëve të zjarrit në familje. Me udhëzim të Prokurorisë, njësia e forenzikës ka sekuestruar dy armë të gjata.
I dyshuari ka deklaruar se armët nuk ishin në pronësi të tij, por i përkisnin babait të tij.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, 33-vjeçari është ndaluar për 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar rast për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Kanosja”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Sipas informacioneve fillestare, nuk ka të dhëna që armët e sekuestruara të jenë përdorur gjatë incidentit.