Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga sot paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro bruto.
Sipas tij, kjo është rritja e katërt e pagës minimale gjatë mandatit të qeverisë aktuale. Ai kujtoi se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, që nga viti 2011, kur ishte 130 euro për punëtorët nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë.
Kurti tha se paga minimale fillimisht u rrit në 250 euro, më pas në 350 euro, më vonë në 425 euro dhe tani ka arritur në 500 euro bruto.
Sipas tij, nga kjo rritje pritet të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Ai theksoi se, ndryshe nga periudha kur paga minimale mbeti e pandryshuar për më shumë se dhjetë vjet, gjatë qeverisjes së tij ajo është trefishuar brenda më pak se pesë vitesh.
Në fund të reagimit, Kurti u shpreh se rritja ekonomike e vendit do të shoqërohet me rritje të mirëqenies për qytetarët dhe uroi përfituesit e kësaj mase.