Reagimet e qytetarëve ndaj mënyrës së transmetimit të Kampionatit Botëror 2026 kanë qenë të ashpra, me shumë prej tyre që kanë shprehur pakënaqësi dhe kritika në rrjetet sociale. Ata vlerësojnë se është e papranueshme që një ngjarje sportive me interes të madh publik të mos transmetohet në tërësi nga transmetuesi publik, ndërsa për ndjekjen e të gjitha ndeshjeve kërkohet pagesë shtesë.
Në komentet e publikuara online, qytetarët e kanë cilësuar situatën si të padrejtë dhe kanë kërkuar më shumë transparencë lidhur me marrëveshjen e arritur. Disa prej tyre kanë përdorur tone të ashpra, duke e quajtur vendimin të turpshëm dhe në kundërshtim me interesin e publikut që financon RTK-në përmes taksave.


