Teksa Shtetet e Bashkuara po nxisin integrimin e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit duket se po ndjek një drejtim tjetër energjetik, të bazuar në burimet vendore të linjitit.
Sipas një letre të siguruar nga KOHA, Ministria e Ekonomisë i ka propozuar Ambasadës amerikane në Prishtinë bashkëpunim për zhvillimin e teknologjive të gazifikimit të linjitit, duke kërkuar mbështetje profesionale dhe mundësi investimi nga partnerët amerikanë.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) historikisht ka operuar një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi gjatë viteve ‘70 dhe fillimit të viteve ‘80, e ngjashme me Fabrikën e Karburanteve Sintetike Great Plains në Dakotën e Veriut.
Ne do ta mirëpritnim mundësinë për të eksploruar fizibilitetin e ringjalljes së një objekti të tillë me programet e mbështetjes së energjisë të SHBA-së, duke e rreshtuar potencialisht këtë iniciativë brenda fushëveprimit të bashkëpunimeve të mëparshme të suksesshme midis Ministrisë sonë dhe Aktivitetit të Kosovës për Qëndrueshmërinë e Energjisë”.
Në dokumentin e dërguar në prill nga ministrja në detyrë Artane Rizvanolli tek e ngarkuara me punë e SHBA-së, Anu Prattipati, theksohet se strategjia energjetike e Kosovës mbështetet kryesisht në burimet e brendshme energjetike.
Ministria ka rikujtuar se KEK-u kishte operuar në të kaluarën një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi dhe ka shprehur interes për të shqyrtuar mundësinë e rikthimit të një projekti të ngjashëm me mbështetje amerikane.
Ndërkohë, diplomatja amerikane Anu Prattipati ka bërë thirrje që Kosova t’u bashkohet projekteve rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke argumentuar se kjo do të rriste sigurinë energjetike, do të diversifikonte furnizimin dhe do të forconte partneritetin ekonomik me SHBA-në.
Ajo ka theksuar se Kosova mund të lidhet me korridoret rajonale të gazit përmes projekteve që po zhvillohen në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci, duke paralajmëruar se vonesat në vendimmarrje mund ta lënë Kosovën jashtë këtyre investimeve strategjike.
Sipas Prattipatit, “dritarja për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet”, ndërsa ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.