Kosova mbeti pa termocentralin “Kosova e Re” pas tërheqjes së kompanisë ContourGlobal në mars të vitit 2020. Projekti, i cili ishte paraparë të ndërtohej me investim prej mbi 1 miliard eurosh dhe të siguronte rreth 500 megavat kapacitet të ri prodhues, konsiderohej si zgjidhja afatgjatë për zëvendësimin gradual të njësive të vjetra të termocentralit Kosova A.
Tërheqja e ContourGlobal ndodhi pak javë pasi Albin Kurti kishte marrë detyrën e kryeministrit. Kompania pati përmendur pasigurinë politike dhe kundërshtimin e vazhdueshëm ndaj projektit si faktorë që ndikuan në vendimin për të mos vazhduar investimin. Me dështimin e “Kosova e Re”, Kosova mbeti pa kapacitetin e ri energjetik që ishte planifikuar prej vitesh.
Pas anulimit të projektit me linjit, partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filluan të promovojnë një alternativë tjetër energjetike për Kosovën – përfshirjen në rrjetin rajonal të gazit natyror. Projekti parashihte që gazi i lëngshëm natyror (LNG), i importuar përmes terminalit të Alexandroupolit në Greqi, të transportohej përmes rrjeteve ekzistuese në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, e më pas të lidhej me Kosovën përmes një gazsjellësi ndërkufitar.
Sipas qëndrimeve amerikane, ky projekt do të ndihmonte Kosovën të diversifikonte burimet e energjisë, të reduktonte varësinë nga termocentralet me qymyr dhe të rrite sigurinë energjetike. Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka mbështetur këtë opsion.
Së fundi, dokumente të siguruara nga mediat kanë treguar se Ministria e Ekonomisë i ka paraqitur Ambasadës amerikane një qasje tjetër, e cila fokusohet në shfrytëzimin e rezervave vendore të linjitit përmes teknologjive të gazifikimit të qymyrit, në vend të kyçjes në rrjetin rajonal të gazit natyror.
Kështu, brenda gjashtë vjetësh, Kosova ka refuzuar ose ka mbetur pa dy projektet më të mëdha energjetike të mbështetura nga partnerët perëndimorë: fillimisht termocentralin “Kosova e Re”, ndërsa tani po kundërshton edhe përfshirjen në korridorin rajonal të gazit natyror. Ndërkohë, vendi vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet ekzistuese Kosova A dhe Kosova B, ndërsa debati për drejtimin strategjik të sektorit energjetik mbetet i hapur.