Deri tani dihet se Remzi Gubetini është personi që po kërkohet nga Policia e Kosovës në lidhje me një incident të rëndë të raportuar në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Bardhosh të Prishtinës.
Sipas informacioneve, personi dyshohet se rreth orës 01:00 ka hyrë me forcë në një shtëpi familjare, pasi paraprakisht ka dëmtuar derën hyrëse të objektit.
Pas hyrjes në banesë, ai dyshohet se ka shkuar në dhomën ku ndodhej gruaja e pronarit të shtëpisë dhe, sipas deklaratës së saj, e ka kapur për krahu dhe e ka puthur në faqe pa pëlqimin e saj.
Ngjarja është raportuar menjëherë në Polici, ndërsa njësitet kompetente kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratat e palëve të përfshira. Viktima dhe bashkëshorti i saj kanë marrë edhe trajtim mjekësor.
Pavarësisht veprimeve policore për lokalizimin e tij, i dyshuari nuk është gjetur dhe vazhdon të jetë në arrati.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Sulm seksual” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj”, ndërsa hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Personi i përmendur konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.