Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Cossombrato të Astit, pranë Torinos në Itali, ku një 59-vjeçar shqiptar dyshohet se vrau ish-gruan dhe partnerin e saj të ri, e më pas i dha fund jetës.
Sipas raportimeve paraprake, i dyshuari është A.K., i cili jetonte në Itali prej rreth 20 vitesh, njësoj si edhe viktima D.K.
Bazuar në informacionet fillestare, 59-vjeçari kishte tentuar disa herë të rikthehej me ish-partneren, por ajo kishte refuzuar, pasi kishte krijuar një lidhje të re.
Sipas hetimeve të para, ai dyshohet se i sulmoi dy viktimat me një mjet të mprehtë pune, duke u shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Pas ngjarjes, dyshohet se ai është ngjitur në kullën e kështjellës së qytetit, ku kishte akses për shkak të punës së tij si kopshtar, dhe më pas është hedhur nga aty, duke humbur jetën në vend.
Rasti po hetohet nga autoritetet italiane, të cilat pritet të sqarojnë të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.