Një rast alarmues është shënuar në Austri, ku autoritetet kanë bërë të ditur se në një kavanoz me ushqim për bebe të markës HiPP është zbuluar helm për minj, pas tërheqjes së produktit nga tregu për arsye sigurie.
Sipas policisë në Burgenland, një mostër nga një kavanoz 190 gramësh me ushqim për bebe me karrota dhe patate, i raportuar nga një konsumator, ka rezultuar pozitiv për prani të helmit për minj.
Kompania HiPP kishte njoftuar më herët se nuk mund të përjashtohej mundësia që në produkt të ishte futur një substancë e rrezikshme, duke paralajmëruar se kavanozët me karrota dhe patate mund të jenë manipuluar. Sipas kompanisë, konsumimi i përmbajtjes mund të jetë kërcënues për jetën.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kavanozët e prekur identifikohen përmes një ngjitësi me rreth të kuq në pjesën e poshtme, ndërsa kapaku mund të jetë i hapur më herët, i dëmtuar, pa vulë sigurie ose me erë të pazakontë.
Policia ka njoftuar gjithashtu se analizat fillestare laboratorike të kavanozëve të ngjashëm të sekuestruar në Çeki dhe Sllovaki kanë treguar praninë e një substance toksike.
Sipas autoriteteve austriake, alarmi për rrezikun ishte dhënë pas hetimeve të zhvilluara në Gjermani.
Nga ana tjetër, HiPP deklaroi se, sipas njohurive aktuale, bëhet fjalë për ndërhyrje të jashtme kriminale që prek zinxhirin e shpërndarjes së Spar Austria.
Ndërkohë, Spar ka bërë të ditur se tërheqja e produktit është një masë parandaluese dhe se ajo ka përfshirë rreth 1,500 dyqane në Austri, pa ndikuar në pikat e shitjes në vendet e tjera.
HiPP dhe Spar u kanë bërë thirrje konsumatorëve që të mos e përdorin produktin e blerë në Austri dhe kanë njoftuar se do të ofrohet rimbursim i plotë për çdo kavanoz të kthyer.
Policia ka këshilluar gjithashtu qytetarët që, nëse kanë pasur kontakt me kavanozët e dyshuar, të lajnë duart me kujdes.