Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se gjatë aksionit të zhvilluar mbrëmjen e së premtes kundër bixhozit të paligjshëm, janë arrestuar 26 persona dhe janë sekuestruar rreth 150 mijë euro.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla njoftoi se operacioni është realizuar nga Policia e Kosovës në dhjetëra lokacione në Mitrovicë dhe Vushtrri, ku dyshohet për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozin.
“Përveç aksionit anti-drogë në Pejë, mbrëmë u zhvillua edhe një aksion tjetër i madh i Policisë së Kosovës në dhjetëra lokacione të ndryshme në Mitrovicë dhe Vushtrri, me objekt veprimtari të dyshimta në lidhje me veprat penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Në këtë aksion të arrestuar përfunduan 26 persona e me rreth 150 mijë euro të sekuestruara”, ka shkruar Sveçla.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se aksioni i 18 prillit 2026 është zhvilluar në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn dhe Istogun.
Operacioni është udhëhequr nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Muharrem Prekazi.