06.04.2026
1 min read

Incident i rëndë në Ferizaj, dy vëllezër dyshohet se i ndoqën 3 të rinj dhe i goditën me veturë

Një incident i rëndë është raportuar në Ferizaj, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar tre të rinj pas një konflikti të mëhershëm, duke përdorur edhe veturën.

Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 5 prillit 2026, rreth orës 02:30, në rrugën “Brigada 161”. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të dyshuarit Ardi Luzha dhe Albert Luzha, që dyshohet se janë vëllezër, kanë ndjekur një veturë dhe më pas e kanë goditur nga prapa.

Vetura e dëmtuar ishte e tipit Golf 7 dhe drejtohej nga E.F., ndërsa brenda saj ndodheshin edhe dy persona të tjerë, E.M. dhe D.S.

Sipas deklarimit të viktimës, para përplasjes, të dyshuarit i kishin ndjekur dhe i kishin bërë shenja që të ndaleshin. Meqenëse ai nuk ishte ndalur, ata dyshohet se e kanë goditur automjetin me veturën e tyre. Viktima ka deklaruar gjithashtu se mes palëve kishte pasur edhe më herët konflikte fizike, të cilat kishin përfunduar edhe në gjykatë.

Pas incidentit, Policia ka arrestuar të dyshuarit. Gjatë kontrollit te Ardi Luzha është gjetur një pistoletë e tipit “Crvena Zastava” me 11 fishekë, për të cilën, sipas Policisë, ai nuk posedonte leje.

I dyshuari ka thënë se armën e mbante për vetëmbrojtje, për shkak të problemeve të mëhershme me personat e dëmtuar.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Sulm”, ndërsa të njëjtit janë ndaluar për 48 orë.

Rasti është duke u hetuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Ofendoi familjen Haradinaj në rrjete sociale, arrestohet një person në Pejë

Next Story

Lajmi i fundit: Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, njofton se kanë filluar punimet për rregullimin e rrugës Carralevë–Shtime!

Latest from Blog

Go toTop