Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë, i cili dyshohet për veprat penale “ngacmim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 3 prill 2026, rreth orës 18:00, në sheshin “Shkëlzen Haradinaj” në Pejë. I dyshuari, sipas Policisë, dyshohet se përmes një postimi në rrjetet sociale ka ofenduar familjen Haradinaj, duke publikuar një video-incizim.
Policia njofton se gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri, përkatësisht dy pistoleta, njëra prej të cilave me katër fishekë.
Pas intervistimit nga organet e rendit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Familja Haradinaj nga Gllogjani i Deçanit njihet për rolin dhe kontributin e saj në luftën e Kosovës. Vëllezërit Haradinaj, përfshirë Ramush Haradinajn, Daut Haradinajn, si dhe dëshmorët Shkëlzen e Enver Haradinaj, janë konsideruar simbol i rezistencës kundër forcave serbe.