Një rast i dyshuar i dhunës në familje është raportuar në fshatin Prelez i Muhaxherëve në Ferizaj, ku një 68-vjeçare ka denoncuar djalin e saj, nën dyshimet për kanosje dhe vjedhje.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Q.B., 30-vjeçar, shtetas amerikan, i cili jeton së bashku me prindërit e tij.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, nëna e tij, I.B., ka deklaruar se djali konsumon alkool dhe se mbrëmjen e 23 shtatorit, rreth orës 23:00, kishte thyer disa orendi në shtëpi dhe dyshohet se e kishte kanosur atë.
Por denoncimi i 68-vjeçares përfshin edhe një ngjarje tjetër që dyshohet se kishte ndodhur disa orë më herët.
Sipas deklaratës së saj, rreth orës 13:00 të së njëjtës ditë, djali dyshohet se i kishte marrë pa leje një unazë ari nga gjërat personale dhe më pas e kishte shitur atë për 250 euro.
I dyshuari është intervistuar nga Policia lidhur me rastin. Sipas burimeve, ai ka pranuar se ia kishte marrë nënës unazën, por ka mohuar pretendimet se e kishte kanosur.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar ndalimin e 30-vjeçarit për 48 orë. I dyshuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Ferizaj.
Rasti po trajtohet për veprat penale “Kanosja”, në kuadër të dhunës në familje, dhe “Vjedhja”, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Njësia për Dhunë në Familje.