Një kontejner me rreth 24 tonë mish viçi të ngrirë, të cilit i kishte skaduar afati i përdorimit, është bllokuar nga autoritetet e Malit të Zi në Portin e Tivarit. Sipas raportimeve të mediave malazeze, ngarkesa me origjinë nga Brazili ishte destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”.
Gazeta malazeze Vijesti, duke iu referuar Administratës Doganore të Malit të Zi, raporton se kontejneri është kontrolluar më 24 shtator 2026.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se brenda tij ndodheshin gjithsej 1,321 paketa me mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh.
Sipas autoriteteve malazeze, afati i përdorimit të mishit kishte përfunduar më 14 maj 2026, pra më shumë se katër muaj para se ngarkesa të kontrollohej në Portin e Tivarit.
Rasti vjen vetëm rreth një javë pasi autoritetet malazeze kishin ndaluar edhe tre kontejnerë të tjerë me mish viçi, me peshë totale bruto prej rreth 77 tonësh.
Në atë rast, sipas Administratës Doganore, gjatë kontrolleve ishte konstatuar se deklaratat origjinale, në të cilat figuronin afatet e skaduara të përdorimit, ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me deklarata që përmbanin afate të tjera.
Autoritetet kanë bërë të ditur se mishi i sekuestruar në këta tre kontejnerë do të asgjësohet pas përfundimit të procedurave përkatëse ligjore.
Për rastet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, me qëllim që administratat doganore të vendeve të tjera të informohen për mënyrën e dyshuar të tentimit për futjen në qarkullim të mishit me afat të skaduar.
Në total, në këto dy raste, Dogana e Malit të Zi ka ndaluar tranzitin e mishit të viçit me peshë bruto prej 102,491 kilogramësh, ose afro 103 tonë.
Sipas raportimit të Klan Kosovës, kompania “Apetit SHPK” është kontaktuar lidhur me rastin, por deri në publikimin e raportimit nuk ishte marrë një përgjigje zyrtare.
“Apetit SHPK”, me seli në Obiliq, operon në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit në Kosovë.
