Një rast tronditës është zbuluar në Spanjë, ku një çift është dënuar me tre vite burg pasi mbajti të izoluar tre fëmijët e tyre për gati katër vite, me arsyetimin se po i mbronin nga Covid-19.
Christian Steffen, 53-vjeçar nga Gjermania, dhe bashkëshortja e tij amerikane, Melissa Anne Steffen, u shpallën fajtorë nga Gjykata në Oviedo për “dhunë sistematike psikologjike” dhe braktisje familjare.
Sipas hetimeve, çifti i kishte mbajtur të izoluar dy binjakët 8-vjeçarë dhe vëllain e tyre 10-vjeçar nga fundi i vitit 2021 deri në prill të vitit 2025. Fëmijët nuk kishin shkuar në shkollë, nuk kishin pasur kontakt me botën e jashtme dhe jetonin në kushte të rënda higjienike.
Gjatë ndërhyrjes në banesë, policia gjeti mbeturina, pelena dhe produkte sanitare të përdorura. Fëmijët mbanin maska, flinin në shtretër të ngjashëm me kafaze dhe, sipas autoriteteve, shfaqnin probleme serioze fizike e psikologjike.
Hetuesit konstatuan se fëmijët kishin vështirësi në ecje, probleme me kontrollin e nevojave personale dhe vonesa të mëdha në zhvillim. Binjakët nuk dinin as të lexonin dhe as të shkruanin, ndërsa asnjëri prej tyre nuk ishte kontrolluar nga mjekët që nga viti 2019.
Rasti u zbulua pas dyshimeve të një fqinje, e cila kishte vënë re lëvizje të pazakonta dhe porosi të shumta me pelena. Ajo kishte mbledhur prova dhe kishte njoftuar autoritetet, duke çuar më pas në ndërhyrjen e policisë.
Përveç dënimit me burg, gjykata ka urdhëruar heqjen e të drejtave prindërore për më shumë se tre vite, ndalimin e afrimit pranë fëmijëve dhe pagesën e 30 mijë eurove dëmshpërblim për secilin prej tyre.
Tre fëmijët janë aktualisht nën kujdesin e shërbimeve sociale, ndërsa psikologët dhe edukatorët po punojnë për rehabilitimin e tyre pas traumës së rëndë që kanë përjetuar.