Është konfirmuar identiteti i personit që u gjet pa shenja jete mbrëmjen e së dielës në një banesë në lagjen “Intercon” në Ferizaj.
Burime bëjnë të ditur se viktima është Florim Haxhidema, rreth 32 vjeç, i cili u gjet i pajetë në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën “Sejdi Sejdiu”.

Sipas informacioneve të para, 32-vjeçari kishte një plagë në kokë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një pistoletë, e cila së bashku me një gëzhojë është sekuestruar për ekzaminime forenzike.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka arrestuar Muhamet Begishollin, rreth 48 vjeç, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Po ashtu, për 48 orë është ndaluar edhe A.R., rreth 24 vjeçe, vajza e të dyshuarit. Ajo kishte pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Repartin e Psikiatrisë në QKUK.
Ndërkohë, H.R., bashkëshortja e të dyshuarit dhe nëna e A.R., është intervistuar në cilësinë e dëshmitares.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Shënim: Rasti po shqyrtohet dhe hetohet nga Policia, personat e lartëpërmendur konsiderohen të pafajshëm, derisa gjykata të vendosë dhe te vërtetojë rastin.