Shkrimtari Ag Apolloni ka bërë akuza të rënda publike ndaj nënkryetarit të LDK-së dhe akademikut Kujtim Shala, gjatë një aktiviteti përkujtimor të organizuar për 90-vjetorin e lindjes së Rexhep Qosja.
Në fjalën e tij, Apolloni pretendoi se Shala, në kohën kur ishte asistent universitar, kishte tentuar ta sulmonte fizikisht Qosjen për shkak të mosmarrëveshjeve rreth lëndës së Estetikës.
“Nuk po flas me të dëgjuar. Kam qenë dëshmitar okular, dhe jo i vetmi”, deklaroi Apolloni, duke shtuar se, sipas tij, Shala u avancua me shpejtësi në karrierën akademike dhe politike me mbështetjen e partisë.
Apolloni pretendoi gjithashtu se më vonë Shala u emërua në poste të rëndësishme shtetërore, përfshirë deputet, ministër i Kulturës dhe zëvendëskryeministër, ndërsa më pas u zgjodh edhe akademik.
Në fjalimin e tij, Apolloni rikujtoi edhe, sipas tij, sfidat dhe padrejtësitë me të cilat është përballur Rexhep Qosja gjatë karrierës së tij, duke përmendur përpjekje për t’ia ndërprerë pagën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, largimin nga zyra në Institutin Albanologjik, si dhe hedhjen e librave dhe materialeve të punës, përveç vështirësive të tjera që, sipas tij, Qosja kishte hasur në Fakultetin Filologjik.