Rreth 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, në rastin e dytë të raportuar brenda pak javësh në këtë institucion.
Sipas informacioneve, incidenti ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00, kur një numër i madh kursantësh kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke. Disa prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë trajtuar me terapi intravenoze (serum).
Dyshohet se simptomat janë shfaqur pas konsumimit të vaktit të darkës, i cili përfshinte salçiçe, fasule dhe kos.
Rasti ka rikthyer shqetësimet për sigurinë ushqimore në Akademinë e Sigurisë, pasi është incidenti i dytë i dyshuar i helmimit në një periudhë të shkurtër kohore.
Kujtojmë se më 7 maj, 56 kursantë të së njëjtës akademi u paraqitën me simptoma të ngjashme, ndërsa rasti u mor në hetim nga autoritetet kompetente.