Sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve në Prishtinë po vazhdojnë të jenë shqetësim serioz, ndërsa një rast i ri është raportuar sot, më 26 maj 2026.
Sipas një qytetari që ka folur për Telegrafin, ngjarja ka ndodhur pranë parkut te Fakulteti Teknik, ku ai thotë se një grup qenësh endacakë kishte nisur të sulmonte disa gra kalimtare.
“Isha duke kaluar pranë parkut te Fakulteti Teknik dhe pashë se disa qen filluan të sulmonin disa gra”, ka deklaruar ai.
Qytetari thotë se, në momentin kur është afruar për t’u dalë në ndihmë, qentë janë kthyer edhe ndaj tij, duke i shkaktuar lëndime në këmbë.
Pas sulmit, ai është drejtuar për trajtim mjekësor në Klinikën Infektive të QKUK-së, ku, sipas tij, për njërën nga plagët e shkaktuara nga kafshimi është dashur edhe qepje.
Ky rast rikthen edhe një herë shqetësimin për sigurinë e qytetarëve në kryeqytet dhe ngre pyetjen nëse institucionet përgjegjëse do të ndërhyjnë para se situata të përfundojë me pasoja edhe më të rënda.
