13.06.2026
1 min read

Skandaloze | Qytetarët paguajnë dy herë? RTK financohet nga qytetarët, por kërkohen edhe nga 20 euro për Botërorin

Kampionati Botëror i Futbollit, ngjarja më e madhe sportive në botë, ka nisur më 11 qershor, por në Kosovë po shoqërohet me polemika të shumta lidhur me mënyrën e transmetimit të ndeshjeve nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Kritikat janë drejtuar ndaj transmetuesit publik, i cili posedon të drejtat për transmetimin e të gjitha ndeshjeve të Botërorit, por ka vendosur që vetëm një pjesë e tyre të transmetohen në RTK. Qytetarët që dëshirojnë t’i ndjekin të gjitha ndeshjet duhet të abonohen në platformën TV Vala, duke paguar 20 euro shtesë.

Gjatë Kampionatit Botëror do të zhvillohen gjithsej 104 ndeshje. RTK do të transmetojë vetëm 64 prej tyre, ndërsa për ndjekjen e plotë të turneut kërkohet abonim në TV Vala.

Ky veprim po konsiderohet i papranueshëm nga shumë qytetarë, pasi RTK financohet nga buxheti i Kosovës, pra nga taksapaguesit kosovarë. Për këtë arsye, shumëkush po e sheh të padrejtë faktin që publiku duhet të paguajë edhe 20 euro shtesë për të pasur qasje në të gjitha ndeshjet e Botërorit.

Po ashtu, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundësi t’i ndjekin ndeshjet përmes transmetuesve të tjerë brenda apo jashtë vendit, pasi të drejtat ekskluzive të transmetimit kufizojnë qasjen në kanale të tjera.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ish-redaktorja e RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi. Ajo ka deklaruar se, sipas informatave që posedon, marrëveshja e RTK-së me Telekomin e Kosovës mund ta ketë dëmtuar më shumë transmetuesin publik sesa ta ketë ndihmuar.

“Sipas informatave që kam, marrëveshja e lidhur me Telekomin e ka dëmtuar RTK-në më shumë se sa e ka ndihmuar”, ka shkruar Foniqi-Kabashi.

Kampionati Botëror 2026 do të zgjasë nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe po organizohet nga SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja. Për herë të parë në histori, në këtë turne do të marrin pjesë 48 kombëtare, ndërsa tifozët do të kenë mundësi të ndjekin 104 ndeshje përgjatë 39 ditëve të garës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Ekskluzive – Sulmohet me kallashnikov autobusi në Malishevë, arrestohet një 57-vjeçar

Next Story

Italia kundërshton tërheqjen e pjesshme të KFOR-it në Kosovë: Prania e misionit mbetet jetike për stabilitetin e Ballkanit

Latest from Blog

Go toTop