06.06.2026
4 mins read

Skandaloze AKP-ja i shet pa tender pronë 2524m² babait të deputetit Valon Ramadani, i fsheh emrin në dokumente

Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku në një frymë krejtësisht jo transparente po fshihen emrat e blerësve të pronave/aseteve të shtetit, dhe shpesh nuk tregohen as shifrat apo çmimet e shitjes. Madje kjo po bëhet në të gjitha shitjet e sidmos në ato pa tenderë apo shitjet direkte.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Gazeta Infokus, pothuajse në të gjitha dokumentet zyrtare të publikuara nga mbledhjet e bordit të AKP-së, janë fshehur emrat e blerësve dhe shumica figurojnë pa çmimet përkatëse të shitjes. Emrat mbulohen me ngjyrë të bardhë dhe lihen të dukshme vetëm pronat dhe vendndodhjet e tyre.

Një nga rastet që lidhet pikërisht me këtë formë të shitjes direkte dhe të fshehur më pas, është një pronë 2,524 metra katror, e cila i është shitur babait të ish-deputetit dhe aktualisht kandidatit për deputet të LVV-së, Valon Ramadanit.

Parcela kadastrale sipas dokumentit të paredakatuar të cilin e ka siguruar Gazeta Infokus, ishte pronë e N.Sh “Pasuria Bujqësore” në Ferizaj dhe është shitur përmes shitjes direkte në vitin 2024, tek Hysni Ramadani dhe Shaban Aliu në kohën kur në këtë ndërmarrje kryesues i bordit ishte Mentor Hyseni.

E natyrisht çmimi i shitjes nuk është cekur fare në dokument.

Dokumenti i publikuar nga AKP ku janë fshehur emrat
Dokumenti që ka siguruar Infokus ku fugurojnë emrat

Hysni Ramadani, babai i deputetit Ramadani, dhe Shaban Aliu, pra blerësit e kësaj prone, figurojnë si drejtorë ekzekutivë të ndërmarrjes “Nderimi SHPK” që ka bërë edhe ndërtimin e lagjes luksoze në Ferizaj të quajtur “Panorama” ku edhe dyshohet të jetë vendndodhja e kësaj pronë që i’u shit atyre nga AKP-ja pa i’u nënshtruar fare konkurrencës e duke ua fshehur emrat në dokumentet zyrtare.

Gazeta Infokus ka kontaktuar me Hysni Ramadanin, babain e deputetit të LVV-së dhe drejtorin e “Nderimi SHPK”, për të pyetur mbi këtë pronë.

Ai e ka konfirmuar blerjen e tokës nga AKP-ja, por pa dhënë detaje të tjera dhe duke humbur kohën me diskutime të kota:

“Qetash çka je ti tu fol unë s’po të kuptoj kurgjo. Hajde në zyrë të tregoj. Ajo tokë u ble 24 ari prej AKP-së edhe e kom pas mrena parcelës teme 50 hektarë,” ka thënë ai.

Gjatë bisedës, i njëjti nuk pranon të flasë më shumë mirëpo kërkon takim me gazetaren për të sqaruar çështjen, duke theksuar se “nuk mund të flasë në telefon se nuk e njeh” dhe “nuk flet me tyli gazetari” pasi koha e tij është e “çmuar”. E takimin ai kërkon ta ketë pas datës 15 qershor.

Bisedën e plotë pa ndërhyrje e gjeni në fund të artukullit.

Gazeta Infokus ka kërkuar sqarime edhe nga ish-kryesuesi i bordit të AKP-së, i cili aktualisht është drejtori i Përgjithshëm në Administratën Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, lidhur me mënyrën se si u shit kjo pronë. Pyetjet përfshinin: përse është kryer shitja në këtë formë, për çfarë qëllimi, ku gjendej prona, a është përdorur ndikimi i babait të deputetit për ta arritur këtë shitje dhe pse janë fshirë emrat e blerësve nga dokumentet zyrtare.

Megjithatë, pavarësisht se pyetjet i janë dërguar që afro një muaj më parë, Hyseni nuk ka kthyer ende përgjigje.

Në këtë formë, sipas hulumtimit të Gazetës Infokus, janë shitur shumë prona të tjera të shtetit me të njëjtin standard të mungesës së transparencës, në shitje pa tenderë e duke u redaktuar dokumentet zyrtare.

Vetëm në vitin 2025 sipas raportit të AKP-së që e kishte siguruar Gazeta Infokus, 56 asete janë shitur pa tenderë në formë direkte. Të gjitha këto dokumente figurojnë po njëlloj të redaktuara në faqen zyrtare të AKP-së, ku nuk figuron emri i blerësve.

Sqarimet e nevojshme dhe dokumentet nuk ishin ofruar as në këtë raport vjetor të cilin AKP-ja e ka obligim ligjor të u’a dërgojë deputetëve të komisonit në Kuvendin e Kosovës dhe të raportojë përballë tyre.

Ndërkohë, nga rreth 4 milionë euro të buxhetit të AKP-së, mbi 3 milionë euro ishin shpenzuar vetëm për paga dhe mëditje, duke lënë shumë pak hapësirë për investime reale apo zhvillim institucional.

Dokumente te tjera ku janë fshehur emrat
Dokumente te tjera ku janë fshehur emrat
Dokumente te tjera ku janë fshehur emrat
Dokumente te tjera ku janë fshehur emrat

AKP refuzon të japë qasje në dokumente thotë se janë publike ndërkohë që i kanë fshehur emrat

Nga hulumtimi duke parë se në këto shitje janë fshehur emrat, Gazeta Infokus ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit sipas ligjit për qasje në dokumente.

Infokusi në kërkesën drejtuar AKP-së e ka sqaruar se këto dokumente po kërkohen të pa redaktuara dhe me emra të blerësve e çmimet e shitjeve mirëpo të njëjtit edhe pas këtij sqarimi kanë deklaruar se dokumentet janë publike, duke refuzuar kështu kërkesën legjitime të Infokusit dhe duke shkelur ligjin për qasje në dokumente zyrtare.

Megjithatë Infokusi sërish i ka ofruar sqarimet e nevojshme zyrtares së AKP-së për qasje në dokumente, Fitore Gagica mirëpo e njëjta nuk ka kthyer më ndonjë përgjigje.

”Lidhur me kërkesën tuaj për qasje në dokumente publike që kanë të bëjnë me procesin e shitjes së aseteve, ju njoftojmë se informatat janë të publikuara dhe te qasshme për publikun në ueb faqen e AKP-së”, thuhej në përgjigjen e AKP-së pavarësisht se Infokusi kishte sqaruar mjaftueshëm mirë dhe në detaje se pse po bëhej kjo kërkesë sepse informacionet në dokumentet publike ishin të redaktuara

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Fushatë me projekte qesharake: Ministri Basha dhe kryetari i Shtimes përurojnë një rrugë 1 kilometër të gjatë

Latest from Blog

Go toTop