Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në lagjen Kolonia në Gjakovë, ku një i ri humbi jetën pas një konflikti të përgjakshëm mes dy grupeve familjare.
Gazeta Sinjali shkruan, sipas informacioneve të siguruara nga burime të afërta me hetimin, në incident dyshohet se janë përfshirë Ilir Sofra, Floreta Hadri, Sehar Gashi, Senad Gashi dhe Egzon Gashi.
Ngjarja është raportuar rreth orës 21:30 në rrugën “Ali Ibra”, pasi Policia e Kosovës kishte pranuar njoftim për një rrahje në zhvillim e sipër. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe, pas mbërritjes në vendngjarje, kanë konstatuar se dy grupe familjare ishin përfshirë në një konflikt fizik.
Sipas informacioneve fillestare të hetimit, gjatë përleshjes dyshohet se Ilir Sofra ka përdorur një mjet të mprehtë, me të cilin ka goditur viktimën B.G., i lindur në vitin 2008.
Si pasojë e plagëve të marra, 18-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve.
Burimet bëjnë të ditur se edhe një person tjetër i përfshirë në rast, si dhe vetë i dyshuari, kanë pësuar lëndime trupore dhe janë duke marrë trajtim mjekësor.
Mjeti i mprehtë që dyshohet se është përdorur në këtë rast ende nuk është gjetur nga autoritetet.
Me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda, rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.
Shënim: Për tu verifikuar fajësia e personave të përmbedur, duhet të pritet deri në vendimin e gjykatës, deri atëherë ata konsiderohen të pafajshëm.