02.10.2026
3 mins read

Qeveria propozoi për Bordin e ZRRE-së kandidatë me më pak pikë, emrat procedohen në Kuvend

Screenshot

Qeveria e Kosovës ka propozuar katër kandidatë për dy pozita të anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndonëse disa prej kandidatëve me rezultatet më të larta në procesin e vlerësimit nuk janë përfshirë në propozim.

Propozimi i Qeverisë, i miratuar më 25 shtator 2026, përfshin Driton Gojanin, Lutfije Dervishin, Hana Jakupin dhe Senad Domuzetin.

Më 30 shtator, këta emra janë shqyrtuar edhe nga Komisioni Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, i cili i ka proceduar për votim në Kuvend. Vendimi përfundimtar për emërimin e anëtarëve të Bordit i takon Kuvendit të Kosovës.

Kandidatët me më shumë pikë mbetën jashtë propozimit

Renditja e kandidatëve sipas pikëve të marra gjatë procesit të vlerësimit nuk përputhet plotësisht me listën e propozuar nga Qeveria.

Më 10 korrik 2026, me vendim të Ministrisë së Ekonomisë, ishte themeluar Komisioni rekomandues ad-hoc për zhvillimin e procedurës së rekrutimit. Komisioni, i përbërë nga Anita Kalanderi, Rifat Blakaj dhe Ylber Batalli, më 17 dhe 18 gusht zhvilloi intervistat dhe vlerësoi kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë.

Sipas dokumentit të poentimit, rezultatin më të lartë e ka marrë Petrit Pepaj, me 49.3 pikë ose 82.2 për qind, por ai nuk është përfshirë në propozimin e Qeverisë.

Jashtë propozimit kanë mbetur edhe Gani Bucaj, i renditur i treti me 48 pikë ose 80 për qind, dhe Skender Mucolli, i katërti me 47.7 pikë ose 79.4 për qind.

Ndërkaq, Driton Gojani, i renditur i dyti me 49 pikë ose 81.7 për qind, është propozuar nga Qeveria.

Në listën e Qeverisë janë përfshirë gjithashtu Lutfije Dervishi me 45.7 pikë ose 76.1 për qind, Senad Domuzeti me 43.7 pikë ose 72.8 për qind dhe Hana Jakupi me 42.7 pikë ose 71.1 për qind. Sipas rezultateve të vlerësimit, këta kandidatë janë renditur përkatësisht në vendin e pestë, të tetë dhe të nëntë.

Komisioni parlamentar ka proceduar për votim në Kuvend edhe dy kandidatë për pozitën e kryesuesit të Bordit të ZRRE-së: Driton Gojanin dhe Ymer Fejzuallahun.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se i takon Qeverisë që nga lista e ngushtë të rekomandojë kandidatët për pozitat përkatëse.

ZRRE pa kuorum që nga 3 gushti

Procesi i emërimit zhvillohet në një kohë kur Bordi i ZRRE-së nuk ka kuorumin ligjor për të marrë vendime.

Që nga 3 gushti 2026, pas përfundimit të mandatit të tre anëtarëve, Bordi nuk ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për ushtrimin e kompetencave vendimmarrëse.

Sipas ZRRE-së, Ligji nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë kërkon praninë e së paku tre anëtarëve të Bordit për marrjen e vendimeve.

Mungesa e kuorumit nuk e ka ndërprerë punën e stafit profesional të ZRRE-së, i cili vazhdon të kryejë detyrat brenda kompetencave të tij, përfshirë monitorimin e operatorëve të licencuar. Megjithatë, kompetencat e Bordit nuk mund t’i delegohen stafit.

Si pasojë, çështjet që lidhen me licencimin, autorizimet, ankesat e konsumatorëve dhe procese të tjera rregullative që kërkojnë vendim të Bordit nuk mund të përmbyllen derisa të rivendoset kuorumi.

ZRRE ka sqaruar se kërkesat për licenca dhe autorizime për kapacitete të reja energjetike mund të pranohen dhe të procedohen administrativisht, por vendimet përfundimtare nuk mund të merren pa një Bord funksional.

E njëjta situatë vlen edhe për ankesat e konsumatorëve që kërkojnë vendimmarrjen e Bordit, çka mund të shkaktojë zgjatje të afateve të trajtimit të tyre.

Pa kuorum nuk mund të merren as vendime të reja për përcaktimin ose ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike. Deri në marrjen e vendimeve të reja, vazhdojnë të zbatohen tarifat ekzistuese sipas vendimeve në fuqi.

Konkursi ishte hapur në prill

Ministria e Ekonomisë kishte shpallur më 28 prill 2026 konkursin publik për një kryesues dhe dy anëtarë të Bordit të ZRRE-së.

Për pozitën e kryesuesit ishin pranuar nëntë aplikime, ndërsa për dy pozitat e anëtarëve të Bordit 13 aplikime. Në listën e ngushtë për kryesues u përzgjodhën pesë kandidatë, ndërsa për dy pozitat e anëtarëve 12 kandidatë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në procesin e vlerësimit, përzgjedhjes së listës së ngushtë dhe intervistimit ka marrë pjesë edhe një përfaqësues i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në cilësinë e monitoruesit.

Pas përfundimit të intervistave, Ministria e Ekonomisë e ka proceduar propozimin për shqyrtim dhe miratim në Qeveri.

Emërimi përfundimtar i kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të ZRRE-së është kompetencë e Kuvendit të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Dy shtetas të Kosovës arrestohen në Gjermani: Dyshohen për zjarrvënie të rëndë dhe tentativë vrasjeje

Next Story

Protesta kundër Speciales jehon në mediat botërore, AP: Më e madhja mbarëkombëtare deri më tani

Latest from Blog

Go toTop