Dy shtetas të Kosovës, të moshës 58 dhe 37 vjeç, janë arrestuar në Gjermani nën dyshimin për përfshirje në dy raste të rënda të zjarrvënies në ndërtesa banimi. Në njërin prej rasteve, autoritetet gjermane po hetojnë edhe dyshimin për tentativë vrasjeje.
Sipas Policisë së Ludwigsburgut dhe Prokurorisë së Stuttgartit, dy burrat dyshohet se lidhen me dy incidente të ndara, të ndodhura në nëntor 2025 dhe mars 2026.
Rasti i parë kishte ndodhur më 11 nëntor 2025, në një apartament në katin përdhes të një ndërtese shumëfamiljare në Brunnenstraße të Böblingenit. Një shpërthim i fuqishëm i shkaktuar nga zjarri kishte alarmuar banorët, të cilët arritën të largoheshin nga ndërtesa.
Nga hetimet, dyshimet u përqendruan te 58-vjeçari nga Kosova, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në zjarrvënien e banesës.
Hetimet më pas çuan edhe te një 37-vjeçar, gjithashtu shtetas i Kosovës. Autoritetet dyshojnë se 58-vjeçari e kishte angazhuar atë kundrejt pagesës për t’i vënë zjarrin një shtëpie në Jägerholzweg, në Weil im Schönbuch, më 29 mars 2026.
Në momentin kur shpërtheu zjarri, brenda shtëpisë ndodhej një grua 86-vjeçare. Ajo u alarmua nga detektori i tymit dhe arriti të largohej nga objekti pa pësuar lëndime.
Për shkak se gruaja ndodhej brenda shtëpisë në momentin e zjarrvënies, autoritetet po e hetojnë këtë rast edhe nën dyshimin për tentativë vrasjeje.
Pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Inspektoratin e Policisë Kriminale të Kielit, dy të dyshuarit u arrestuan në fillim të shtatorit.
Më 3 dhe 4 shtator 2026, ata u paraqitën para një gjyqtari në Gjykatën e Qarkut të Stuttgartit, pas kërkesës së Prokurorisë së Stuttgartit.
Gjykata lëshoi urdhër-arreste ndaj tyre nën dyshimin për zjarrvënie të rëndë dhe tentativë vrasjeje, ndërsa të dy u dërguan në paraburgim.
Hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivin e mundshëm të rasteve janë ende duke vazhduar.
Të dy të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.