25.06.2026
1 min read

Pretendoi se kishte gëlltitur detergjent, i riu nga Kosova arratiset nga spitali italian

Një i burgosur 23-vjeçar me origjinë nga Kosova është arratisur nga Spitali i Bolzanos në Itali, pasi dyshohet se kishte mashtruar gardianët duke pretenduar se kishte gëlltitur detergjent për t’u dërguar në trajtim mjekësor.

Sipas mediave italiane, i riu u transferua në repartin e urgjencës për ekzaminime, ndërsa pas kontrolleve mjekësore u la nën vëzhgim në spital. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, ai shfrytëzoi një moment pakujdesie dhe u largua nga objekti pa u vënë re.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar momentin kur ai del nga hyrja e spitalit dhe largohet në drejtim të panjohur. Autoritetet italiane po analizojnë regjistrimet për të rindërtuar itinerarin e arratisjes.

Pas alarmit, policia italiane organizoi një operacion kërkimi në zonën e Bolzanos, ku u angazhuan Policia e Shtetit, karabinierët dhe policia hekurudhore, duke kontrolluar rrugët dhe pikat e mundshme ku mund të ishte strehuar i arratisuri.

23-vjeçari ishte arrestuar më 1 maj dhe ndodhej në paraburgim nën dyshimet për rrëmbim dhe zhvatje ndaj familjes së bashkëshortes së tij. Gjatë arrestimit, autoritetet kishin sekuestruar edhe një sëpatë të vogël në automjetin e tij.

Përveç kërkimeve për kapjen e tij, autoritetet italiane kanë nisur edhe një hetim për të sqaruar mënyrën se si u bë e mundur arratisja dhe nëse ka pasur lëshime nga personeli përgjegjës për mbikëqyrjen e të burgosurit.

Sipas mediave italiane, kjo është arratisja e katërt nga burgu i Bolzanos gjatë 12 muajve të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Auditori: Furnizime prej 778 mijë eurosh u pranuan pa raport zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë

Next Story

Sulmohet ekipi i RTV Dukagjinit gjatë raportimit në Gjilan

Latest from Blog

Go toTop