Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të anëtarëve të kabinetit të Qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikës energjetike, duke vlerësuar se qasja e prezantuar nuk i jep prioritet të mjaftueshëm rritjes së kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë elektrike.
Përmes një komunikate, Oda Amerikane thekson se investimi në kapacitete të reja prodhuese është thelbësor për uljen e varësisë nga importi i energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës.
Sipas saj, debati nuk duhet të përqendrohet në mundësinë e importimit të energjisë nga vendet fqinje, por në zgjedhjen strategjike nëse Kosova do të vazhdojë të mbështetet te importi i energjisë si produkt i gatshëm apo do të investojë në prodhim vendor, duke rritur konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike.
Oda Amerikane vlerëson se analiza e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet vetëm te kostoja fillestare e infrastrukturës, pasi përfitimet afatgjata të prodhimit vendor janë shumë më të mëdha. Sipas saj, çdo megavat i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale dhe garanton stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët.
Në reagim rikujtohet edhe kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë, e cila, sipas Odës, dëshmoi se shtetet me kapacitete të mjaftueshme prodhuese ishin dukshëm më të mbrojtura nga luhatjet e tregut.
Në këtë kontekst, Oda Amerikane e konsideron përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane si alternativën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.
Sipas komunikatës, studimet e mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë së SHBA-së në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) kanë identifikuar ndërtimin e interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut si opsionin më ekonomik për furnizimin e Kosovës me gaz natyror.
Po ashtu, Oda thekson se centralet me bazë LNG mund të ndërtohen brenda dy deri në tre vjet dhe kanë gjasa më të mëdha të sigurojnë financim nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa projektet e reja me bazë qymyri.
Në reagim nënvizohet se LNG-ja nuk duhet parë si zëvendësim i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, por si teknologji plotësuese që mundëson integrimin më efikas të energjisë nga era dhe dielli, duke i dhënë sistemit elektroenergjetik fleksibilitetin e nevojshëm.
Për këtë arsye, Oda Amerikane propozon një strategji të dyfishtë: zhvillimin sa më të shpejtë të kapaciteteve gjeneruese me bazë LNG për të garantuar sigurinë energjetike në afat të shkurtër dhe të mesëm, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimi i opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve energjetike vendore.
Në përfundim, Oda rithekson se politikat energjetike duhet të vlerësohen jo vetëm mbi bazën e kostos fillestare të investimeve, por edhe sipas aftësisë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm, çmime stabile dhe rritje të prodhimit vendor të energjisë, duke theksuar se Kosova nuk duhet ta humbasë mundësinë për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së amerikane.