Një rast i dëmtimit të pronës publike është regjistruar në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, ku një person është filmuar nga kamerat e sigurisë duke shkulur drunjtë e sapombjellë.
Pamjet janë publikuar nga Komuna e Ferizajt në rrjetet sociale, e cila e ka dënuar këtë veprim, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe të dëmshëm për interesin publik.
“Deri kur do të vetëdijësohemi që ta mbrojmë dhe ta ruajmë pronën publike, për të mirën e të gjithëve? Në fotot dhe videon e publikuar shihet një qytetar i papërgjegjshëm duke thyer dhe shkulur drunjtë e mbjellë në rrugën ‘Ahmet Kaçiku’. Për këtë rast janë njoftuar organet e sigurisë, të cilat do të zhvillojnë hetimet dhe do të ndërmarrin veprimet ligjore ndaj personit përgjegjës”, thuhet në reagimin e Komunës.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e hapësirave publike dhe të raportojnë çdo rast të ngjashëm të vandalizmit.
