Një mësimdhënëse nga Ferizaj ka dëshmuar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare, pasi ka dorëzuar në polici një portofol me një shumë të konsiderueshme parash, të cilin e kishte gjetur në rrugë.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur sot, më 11 maj 2026, rreth orës 16:55, në afërsi të rrugës “Agim Matoshi” në Ferizaj.
Qytetarja A. Mehmeti, 43-vjeçare, me profesion mësimdhënëse, pasi kishte gjetur portofolin, e kishte dorëzuar menjëherë në stacionin policor në Ferizaj.
Meqë pronari i portofolit nuk ishte identifikuar fillimisht, hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kontrolluar kamerat e sigurisë në zonë.
Pak më vonë, në stacionin policor është paraqitur L.K., 22-vjeçare nga Ferizaj, me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila kishte raportuar humbjen e portofolit.
Pas verifikimeve të nevojshme, policia ia ka kthyer pronares portofolin dhe shumën prej 2,030.85 eurosh.