11.05.2026
1 min read

Kallas: Zgjedhjet në Kosovë po e shtyjnë dialogun Prishtinë–Beograd

Screenshot

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë kanë ndikuar në mungesën e një rundi të ri të dialogut në nivel liderësh mes Prishtinës dhe Beogradit.

Duke folur para gazetarëve, Kallas tha se kishte gatishmëri si nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim të ri në kuadër të dialogut. Megjithatë, sipas saj, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish këtë proces.

“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës – dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve, nga Kosova dhe nga Serbia, por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas.

Ajo shtoi se, pavarësisht mungesës së një takimi të përbashkët në nivel të lartë, po vazhdon të punojë veçmas me të dyja palët për zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit 2023.

Kallas, e cila mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor të vitit 2024, ende nuk ka qenë nikoqire e ndonjë rundi të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sot, ajo pritet të presë në takim ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Takimi pritet të shërbejë si hyrje për një debat më të gjerë mbi situatën në rajon, ku në fokus do të jenë forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme, përafrimi me politikën e jashtme të BE-së dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Arrestohet kirurgu në Korçë, dyshohet se ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare

Next Story

Mësuesja nga Ferizaj dorëzon në polici portofolin me mbi 2 mijë euro të gjetur në rrugë

Latest from Blog

Go toTop