Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Ferizaj, ku një i ri dyshohet se plagosi me armë zjarri një vajzë dhe më pas qëlloi veten.
Bëhet fjalë për Valon Krasniqin, rreth 32 vjeç, i cili dyshohet se ka shtënë ndaj L.U., rreth 24 vjeçare, brenda një barnatoreje në rrugën “Driton Islami”.
Sipas informacioneve fillestare, rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, në momentin kur viktima kishte hyrë në barnatore dhe kishte kërkuar ndihmë nga stafi, duke i njoftuar se personi që ndodhej me të ishte i armatosur.
Pak çaste më vonë, i dyshuari kishte hyrë në barnatore dhe kishte tentuar ta nxirrte me forcë viktimën, por pasi ajo kishte refuzuar, ai kishte dalë jashtë, kishte marrë armën nga vetura dhe kishte shtënë në drejtim të saj.
Si pasojë, viktima kishte mbetur e plagosur në këmbë dhe kishte arritur të strehohej në depon e barnatores. Megjithatë, i dyshuari dyshohet se e kishte ndjekur dhe kishte shtënë edhe një herë në drejtim të saj.
Menjëherë pas kësaj, ai kishte qëlluar edhe veten në kokë me të njëjtën armë.
Të dy janë dërguar fillimisht në Emergjencë, e më pas në QKUK në Prishtinë. Sipas mjekëve, e reja është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i dyshuari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur arma e përdorur, gëzhoja dhe prova të tjera materiale, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.