Një incident i pazakontë është regjistruar në orët e para të 3 tetorit në rrugën “Ukshin Kovaçica” në Prishtinë, ku një shtetase e Kolumbisë dyshohet se ka lënduar një 23-vjeçar dhe ka dëmtuar pronë.
Sipas raportimit të Sinjalit, rreth orës 03:00 Policia është njoftuar për një grua që po bërtiste me zë të lartë në zonën e “Alko Group”.
Pas mbërritjes në vendngjarje, policët kanë hasur një person me lëndime dhe gjakderdhje në këmbë. E dyshuara ndërkohë ndodhej në ballkonin e një banese në katin e sipërm dhe dyshohet se po gjuante gurë në drejtim të ballkonit poshtë, duke e lënduar 23-vjeçarin.
Situata është tensionuar kur policët kanë tentuar të komunikojnë me të. Sipas informacioneve të raportuara, ajo mbante një thikë, të cilën dyshohet se e ka drejtuar nga zyrtarët policorë, ndërsa më pas ka thyer edhe xhamin e derës.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është urdhëruar hapja me forcë e derës, ndërsa në vendngjarje ka intervenuar edhe Njësia Speciale. Policia ka arritur ta vërë situatën nën kontroll dhe ka sekuestruar thikën.
E dyshuara është identifikuar si Catalina Henao, shtetase e Kolumbisë. Ajo është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe përkthyesit dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.