Një rast i rëndë është raportuar në Akademinë e Policisë, ku 56 studentë janë paraqitur me simptoma helmimi, pasi dyshohet se kanë konsumuar ushqim të kontaminuar në ambientet e Akademisë.
Studentët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në shërbimin infektiv. Dy prej tyre janë shtruar në spital për trajtim, ndërsa të tjerët, pas marrjes së ndihmës së nevojshme, janë larguar. Sipas informacioneve, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas rastit, autoritetet kanë marrë mostra të ushqimit për analiza laboratorike, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik dhe AKU kanë nisur hetimin epidemiologjik për të përcaktuar shkakun e helmimit.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia ka arrestuar në flagrancë Kujtim Ballgjinin, 52 vjeç, me detyrë kuzhinier, dhe Kristjana Plakën, 23 vjeçe, teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për furnizimin me ushqim në Akademinë e Sigurisë.
Po ashtu, materialet janë referuar në Prokurori për R. Ç., 35 vjeçe, teknologe ushqimi në të njëjtën kompani, e cila po procedohet në gjendje të lirë. Ndërkohë, administratorja e kompanisë, A. T., 52 vjeçe, është shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, po punohet për kapjen e administratores dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të personave të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Kompania që furnizonte Akademinë me ushqim raportohet se kishte kontratë trevjeçare, e cila kishte nisur në vitin 2025.