Agjencia turistike “Gmica Travel”, në pronësi të Miran Fejzullahut, është ndëshkuar me gjashtë vendime nga Inspektorati i Tregut, pas një sërë ankesash të qytetarëve për anulim udhëtimesh, moskthim të mjeteve të paguara dhe reklama mashtruese.
Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Gazeta Insajderi, vlera totale e gjobave të shqiptuara ndaj kompanisë arrin në 10 mijë e 200 euro.
Tri nga gjobat, në vlerë prej 3 mijë eurosh secila, lidhen me raste kur qytetarëve nuk u janë kthyer paratë pas anulimit të udhëtimeve për Milano, Stamboll dhe turit Budapest–Vjenë–Pragë. Në secilin rast, agjencia kishte premtuar rimbursim, por nuk ka paraqitur dëshmi se pagesat janë kthyer.
Një tjetër gjobë prej 700 eurosh është shqiptuar pasi kompania nuk paraqiti kontratën dhe dokumentacionin e kërkuar nga inspektorët në një rast ku klienti kishte kërkuar anulimin e udhëtimit pas vdekjes së bashkëshortes.
Po ashtu, “Gmica Travel” u gjobit me 500 euro pas një ankese lidhur me një rezervim në Golem. Klientët kishin paguar për akomodim “All Inclusive” në hotelin “Grand Blue Fafa”, por sipas ankesës, në mbërritje nuk kishin gjetur rezervimin e konfirmuar dhe ishin sistemuar në një apartament privat.
Përveç gjobave administrative, Inspektorati i Tregut ka iniciuar procedurë kundërvajtëse në Gjykatën Themelore në Lipjan për shkak të dyshimeve për reklama mashtruese në Facebook. Sipas inspektoratit, agjencia ka publikuar oferta turistike me çmime joshëse që më pas nuk kanë qenë të disponueshme për rezervim, duke krijuar konfuzion dhe duke dëmtuar interesat e konsumatorëve.
Pronari i kompanisë, Miran Fejzullahu, i ka mohuar vendimet, duke deklaruar se ato nuk kanë mbërritur në adresën e biznesit të tij.




Burimi: Sinjali