Charles L. Smith III, gjyqtari amerikan që kryesoi trupin gjykues në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kishte shërbyer më herët në misionin EULEX në Kosovë. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, emri i tij ishte përmendur në pretendimet e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons, për ndërhyrje në procese gjyqësore.
Sipas biografisë zyrtare të publikuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, Smith ishte gjyqtar i EULEX-it nga viti 2010 deri më 2013. Nga viti 2011 deri më 2013 ishte gjithashtu anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës, ndërsa më 2013 u zgjodh kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Pretendimet për veprimtarinë e Smithit gjatë kësaj periudhe u bënë publike vite më vonë nga Malcolm Simmons, i cili kishte mbajtur gjithashtu poste të larta gjyqësore në EULEX. Pas largimit nga misioni, Simmons ngriti një sërë akuzash për ndërhyrje politike dhe presion mbi gjyqtarët.
Rasti “Kleçka” dhe emaili për “arsye politike”
Një nga rastet kryesore të përmendura nga Simmons ishte procesi “Kleçka”, në të cilin Fatmir Limaj dhe persona të tjerë akuzoheshin për krime lufte.
Simmons pretendoi se drejtues brenda EULEX-it kishin interes të veçantë për rezultatin e këtij procesi. Në qendër të pretendimeve të tij ishte edhe një email që Charles Smith dyshohet se ia kishte dërguar më 29 janar 2013.
Sipas materialeve të bëra publike nga Simmons dhe raportimeve mediale mbi emailin, Smith kërkonte që çështja të procedohej sa më shpejt, duke iu referuar një numri arsyesh, “shumica politike”.
Ekzistenca dhe përmbajtja e këtij emaili janë raportuar edhe nga Exit News, media që deklaroi se e kishte parë komunikimin. Sipas saj, Smith kërkonte që rasti ndaj Limajt të procedohej sa më shpejt dhe përmendte arsye “kryesisht politike”.
Simmons pretendoi më tej se, pasi ishte caktuar në trupin gjykues, Smith i kishte komunikuar se misioni priste dënime në këtë proces.
Sipas dëshmisë së Simmonsit, Smith i kishte thënë se misioni “priste dënime” dhe se pozita e tij profesionale mund të vihej në rrezik nëse të pandehurit nuk dënoheshin.
Simmons deklaroi se këto shqetësime i kishte raportuar edhe brenda strukturave të EULEX-it.
Pretendime edhe për ndërhyrje te gjyqtarë të tjerë
Pretendimet e Simmonsit nuk kufizoheshin vetëm te rasti “Kleçka”.
Ai pretendonte se Smith kishte tentuar të ndikonte edhe në mënyrën se si gjyqtarja Mariola Pasnik do të procedonte në një çështje ku ajo ishte kryetare e trupit gjykues.
Sipas Simmonsit, më 18 korrik 2013, Pasnik kishte marrë një email nga Smith, përmes të cilit ky i fundit pretendohej se i jepte udhëzime lidhur me procedimin e çështjes.
Simmons pretendonte gjithashtu se kishte qenë i pranishëm gjatë dy telefonatave në korrik të atij viti, kur Smith dyshohet se kishte diskutuar me Pasnik për të njëjtën lëndë dhe kishte sugjeruar shqiptimin e një dënimi me burg.
Në dëshminë e Simmonsit përmendej edhe gjyqtari Vitor Pardal. Sipas pretendimeve të tij, Smith dhe zëvendësi i tij, Gerrit Sprenger, kishin tentuar të ndërhynin në një prej çështjeve që trajtonte Pardal.
Simmons pretendonte se më pas ishte diskutuar edhe mundësia e procedurave disiplinore ndaj Pardalit, pasi ky i fundit nuk kishte ndjekur udhëzimet që pretendohej se i ishin dhënë.
EULEX kishte kundërshtuar akuzat e Simmonsit
Pretendimet e Malcolm Simmonsit duhet të trajtohen si të tilla dhe jo si fakte të provuara gjyqësisht.
Në reagimet e mëhershme, EULEX kishte vënë në pikëpyetje akuzat e tij dhe kishte theksuar se edhe vetë Simmons kishte qenë objekt i procedurave dhe hetimeve lidhur me pretendime serioze.
Në lidhje me procedurat civile që Simmons zhvillonte në Mbretërinë e Bashkuar, EULEX kishte deklaruar se nuk ishte palë në proces dhe se, për shkak të kufizimeve ligjore lidhur me çështjet që ndodheshin para gjykatës, nuk mund të komentonte më tej.
Simmons, ndërkaq, vazhdoi t’i mbronte pretendimet e tij. Në vitin 2021 ai dëshmoi edhe para Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, ku foli për ndërhyrje politike që, sipas tij, kishin ndodhur brenda misionit evropian.
Ai kishte deklaruar gjithashtu se Gjykata Speciale ishte krijuar për të ndëshkuar ish-komandantët e UÇK-së dhe kishte kërkuar reagim nga institucionet e Kosovës.