Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të shitjes dhe tërheqjen nga tregu të produkteve të ngrira të mishit të pulës, të importuara nga Brazili përmes kompanisë “Apetit” SHPK, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar praninë e bakterit Salmonella Minnesota.
Sipas AUV-së, bëhet fjalë për produkte të markave “Coopavel” dhe “Superfrango”, në mostrat e të cilave është identifikuar bakteri gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar.
Kontrollet janë ndërmarrë me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
Pas konfirmimit të rezultateve laboratorike, AUV ka vendosur që produktet e identifikuara të ndalohen përkohësisht nga qarkullimi, të vendosen nën kontroll zyrtar dhe të tërhiqen nga pikat e shitjes.
Bakteri Salmonella Minnesota mund të shkaktojë infeksione të traktit gastrointestinal. Infeksioni mund të transmetohet përmes konsumimit të ushqimeve të kontaminuara, veçanërisht kur mishi nuk gatuhet mjaftueshëm, si dhe përmes kontaminimit të kryqëzuar gjatë përgatitjes së ushqimit.
Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë kontrollet për të identifikuar të gjitha sasitë e importuara, shpërndarjen e produkteve në treg dhe rezervat që ndodhen ende në depo.
AUV ka njoftuar se do të verifikohen gjithashtu etiketat, afatet e përdorimit, dokumentacioni veterinar dhe kushtet e ruajtjes, ndërsa parashihen edhe analiza shtesë laboratorike.
Sipas Agjencisë, kompania importuese është përgjegjëse për gjurmueshmërinë dhe sigurinë e produkteve, tërheqjen e tyre nga tregu dhe informimin e konsumatorëve.
AUV do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe, në varësi të rezultateve të kontrolleve, do të vendosë për trajtimin përfundimtar të produkteve, përfshirë asgjësimin e tyre nëse konsiderohet i nevojshëm.
Agjencia ka paralajmëruar se publiku do të informohet për rezultatet e kontrolleve dhe vendimet e mëtejshme.