Një rast i rëndë i dyshuar i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një grua, nënë e dy fëmijëve, ka denoncuar bashkëshortin për dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikologjike, si dhe vjehrrin për kanosje.
Sipas raportimeve, gruaja ka deklaruar se ishte përballur vazhdimisht me dhunë nga bashkëshorti, ndërsa vjehrri dyshohet se e kishte kërcënuar.
Pas denoncimit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarve, ku janë sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë, 252 fishekë dhe një leje e vlefshme për armë.
Të dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe intervistuar nga organet e rendit. Me vendim të prokurorit, njëri është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.