Një aksident tragjik hekurudhor ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në Spanjë, ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur pranë qytetit Urda, në provincën e Toledos.
Sipas raportimeve të Sky News dhe mediave të tjera ndërkombëtare, të paktën 39 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar.
Në aksident janë përfshirë një tren i kompanisë shtetërore Renfe dhe një tren i operatorit privat Iryo. Sipas informacioneve paraprake, njëri tren është përplasur nga pas me trenin tjetër, i cili kishte ndaluar në binarë.
Nga përplasja, dy vagonë kanë dalë nga shinat dhe kanë përfunduar në një pjerrësi pranë hekurudhës.
Në të dy trenat udhëtonin gjithsej rreth 544 pasagjerë. Ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit dhe shërbimet mjekësore janë mobilizuar për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka shprehur solidaritetin me familjet e viktimave, ndërsa qarkullimi hekurudhor në linjën Madrid–Andaluzi është pezulluar.