Rreth 1.000 persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e valës ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë Evropën, sipas një vlerësimi paraprak të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Shëndetit Publik.
Autoritetet shëndetësore franceze bëjnë të ditur se shumica e viktimave janë persona mbi moshën 65 vjeçare, ndërsa paralajmërojnë se numri i vdekjeve mund të rritet edhe më tej, pasi ende po mblidhen të dhëna nga shtëpitë e pleqve dhe rastet e regjistruara në banesa private.
Vala e të nxehtit, e cila nisi më 20 qershor, ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës, duke thyer rekorde temperaturash, shkaktuar dhjetëra viktima, dëmtime në infrastrukturë dhe probleme në furnizimin me energji elektrike.
Sipas shkencëtarëve, bëhet fjalë për një nga valët më intensive të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë në Evropë, kontinent që po ngrohet më shpejt se mesatarja globale si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Ndërkohë, shërbimi meteorologjik francez njofton se temperaturat kanë filluar të bien në pjesën më të madhe të vendit, megjithatë disa rajone në verilindje vazhdojnë të mbeten nën alarm për vapë ekstreme.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, ka paralajmëruar se efektet shëndetësore të kësaj vale të të nxehtit mund të vazhdojnë të shfaqen edhe deri në 10 ditë pas rënies së temperaturave.