Vetëm pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, në rrethrrotullimin në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur tabela me emrat “Zoran Gjingjiq” dhe “Isa Boletini”.
Ministrja e Planifikimit Hapësinor në detyrë teknike, Fitore Pacolli, ka deklaruar se 88 rrugë në Mitrovicën e Veriut kanë marrë emra të rinj. Sipas saj, emërtimet janë përzgjedhur në bashkëpunim me administratën e mëparshme të kësaj komune.
Pacolli tha se komiteti përgjegjës është marrë për rreth dy muaj me procesin e emërtimit të rrugëve.
“Është votuar në Kuvend dhe tani po i vendosim emrat, pasi bëhet fjalë për një procedurë teknike”, ka deklaruar ajo.
E pyetur nga gazetarët se ku ndodhet kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, Pacolli tha se projekti po realizohet nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.
“Çfarëdo projekti që e bëj, e bëj si ministre, jo me komunën, sepse komuna tashmë e ka marrë këtë vendim”, tha Pacolli.
Ajo shtoi se, si ministre, është e obliguar ta përfundojë pjesën teknike të këtij procesi.
Duke komentuar faktin se vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve ishte marrë nga administrata e mëparshme komunale, e udhëhequr nga Erden Atiq, Pacolli tha se Kuvendi ka respektuar dëshirat e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut.
“Ka qenë vendimi i serbëve këtu që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe ata morën një kryetar komune shqiptar. Tani kanë një kryetar komune serb”, u shpreh ajo, duke shtuar se në Mitrovicën e Veriut jetojnë si serbë, ashtu edhe shqiptarë.
Sipas Pacollit, qytetarët e Mitrovicës së Veriut kanë qenë të informuar për këtë projekt.
“Njerëzit që jetojnë në Mitrovicën e Veriut e dinë për projektin dhe kanë qenë të njoftuar. Kuvendi ka punuar për këtë vitin e kaluar së bashku me qytetarët”, tha ajo.
Pacolli shtoi se në mesin e emrave të rinj të rrugëve ka edhe emra shkrimtarësh serbë, aktorësh dhe personalitetesh të tjera të njohura.
Ajo mohoi se koha e vendosjes së tabelave lidhet me zgjedhjet, duke thënë se ministria vetëm po vazhdon punën e saj. Sipas saj, akuzat se po merr pjesë në fushatë politike janë të pabaza.