10.06.2026
1 min read

Ekziston rreziku që shtesat prej 100 eurosh për sektorin privat të mos ekzekutohen fare

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka ngritur shqetësime lidhur me vonesën e ekzekutimit të shtesave prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat, duke mos përjashtuar mundësinë që këto mjete të mos shpërndahen fare.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi kërkoi sqarime publike nga Ministria e Financave dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar se pas përfundimit të zgjedhjeve nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar për afatet e pagesave.

Sipas tij, ndonëse shuma prej 100 eurosh nuk është e madhe, ajo është premtuar dhe institucionet duhet të tregojnë qartë se kur do të realizohet. Ai rikujtoi se para zgjedhjeve përfaqësuesit e Qeverisë informonin vazhdimisht për ecurinë e procedurave, ndërsa tani, sipas tij, ka mungesë të plotë transparence.

Azemi tha se punëtorët e sektorit privat po e kontaktojnë çdo ditë Sindikatën për të pyetur rreth pagesave, por askush nuk ka informacione konkrete për datën e ekzekutimit. Kjo situatë, sipas tij, po krijon pasiguri dhe dyshime të mëdha.

Ai deklaroi se ekziston mundësia që këto pagesa të mos realizohen fare, duke rikujtuar se edhe gjatë fushatës zgjedhore Sindikata kishte ngritur dyshime se masa mund të ishte më shumë një premtim elektoral sesa një politikë sociale e mirëfilltë.

“Shpresoj që kjo të mos ndodhë, por mungesa e transparencës po krijon shumë pikëpyetje”, tha Azemi, duke shtuar se edhe informacionet jozyrtare që ka marrë nuk japin siguri se procesi po ecën sipas planit.

Kreu i Sindikatës kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, trajtohen punëtorët e sektorit privat në krahasim me zyrtarët publikë. Ai tha se shumë zyrtarë kanë përfituar paga të konsiderueshme, ndërsa punëtorët ende presin realizimin e një pagese simbolike prej 100 eurosh.

Ndërkohë, Qeveria në detyrë më 22 maj kishte miratuar pakon “Inflacioni 2.0”, e cila parasheh mbështetje financiare prej 100 eurosh për pensionistët, punëtorët e sektorit privat, studentët dhe fëmijët, si dhe rritje të shtesave për lehonat.

Deri tani, pagesat janë realizuar për disa kategori përfituese, ndërsa studentët dhe punëtorët e sektorit privat vazhdojnë të presin ekzekutimin e mjeteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Auditori zbulon shkelje në Skenderaj: E njëjta OJQ u subvencionua dy herë brenda vitit

Next Story

Këta janë dy të arrestuarit në operacionin “Mega”, njëri ishte dënuar për pjesëmarrje në luftën në Siri

Latest from Blog

Go toTop