10.06.2026
1 min read

Auditori zbulon shkelje në Skenderaj: E njëjta OJQ u subvencionua dy herë brenda vitit

Auditori ka konstatuar se Komuna e Skenderajt gjatë vitit 2025 ka ndarë subvencione dy herë për të njëjtën organizatë joqeveritare (OJQ), në kundërshtim me rregulloren komunale në fuqi.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), e njëjta OJQ ka përfituar 13,100 euro për organizimin e aktivitetit “Muaji i Mërgatës” dhe 7,500 euro të tjera për “Aktivitete rinore dhe kulturore”.

Auditori thekson se Rregullorja Komunale për Ndarjen e Subvencioneve, konkretisht neni 5, pika 2, përcakton qartë se një përfitues mund të subvencionohet vetëm një herë brenda vitit.

Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së kontrolleve të mjaftueshme nga zyrtarët përgjegjës gjatë shqyrtimit dhe miratimit të kërkesave, si dhe mungesës së një mekanizmi efektiv për verifikimin e përfitimeve paraprake të organizatave brenda vitit buxhetor.

Auditori vlerëson se ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren rrit rrezikun e trajtimit të pabarabartë të përfituesve dhe mund të kufizojë mundësitë e organizatave të tjera për të përfituar mbështetje financiare.

Për këtë arsye, ZKA ka rekomanduar që kryetari i komunës të sigurojë verifikimin e plotë të përfitimeve paraprake para miratimit të subvencioneve, me qëllim parandalimin e financimit të shumëfishtë të të njëjtit përfitues brenda vitit.

Komuna e Skenderajt është pajtuar me këtë gjetje të Auditorit.

Ndërkohë, Komuna ka marrë opinion të kualifikuar në auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore për vitin 2025, që nënkupton se pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar.

Raporti i auditimit përmban gjithsej 11 rekomandime, prej të cilave dy janë të reja, tetë të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur. Nga 11 rekomandimet e dhëna në raportin e vitit 2024, deri në përfundim të auditimit, Komuna kishte zbatuar vetëm dy, një ishte në proces zbatimi, ndërsa tetë të tjera mbeteshin të pazbatuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për barrikadat në veri më 2022, akuzohen për veprime kundër rendit kushtetues

Next Story

Ekziston rreziku që shtesat prej 100 eurosh për sektorin privat të mos ekzekutohen fare

Latest from Blog

Go toTop