09.06.2026
1 min read

Ekskluzive – U ndal për kundërvajtje në trafik, dyshohet se sulmoi policët me kokë dhe bllok betoni

Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin Baballoq të Deçanit, ku një kontroll rutinë i trafikut ka përfunduar me përleshje mes një drejtuesi automjeti dhe zyrtarëve policorë, duke lënë të lënduar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, rasti ka ndodhur më 8 qershor 2026, rreth orës 16:00, kur njësia e Trafikut Rajonal të Pejës kishte ndaluar një automjet për një shkelje të rregullave të komunikacionit.

Pas shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, i dyshuari, A.U., dyshohet se ka reaguar me fyerje dhe kërcënime ndaj zyrtarëve policorë. Për shkak të sjelljes së tij, policët kanë tentuar ta arrestojnë, por ai dyshohet se ka kundërshtuar urdhrat dhe ka rezistuar ndaj arrestimit.

Burimet e afërta me hetimin bëjnë të ditur se gjatë incidentit, i dyshuari ka tentuar t’i godasë policët me kokë dhe më pas me një copë betoni, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e tyre.

Për të vënë situatën nën kontroll, njëri nga zyrtarët policorë ka përdorur sprej dhe pranga, duke arritur ta neutralizojë dhe arrestojë të dyshuarin.

Si pasojë e përleshjes, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit e Stacionit Policor në Deçan dhe Njësia Rajonale e Hetimeve. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Megjithatë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

Shënim: Për të konfirmuar përgjegjësinë penale të personit të përmendur, duhet të pritet vendimi përfundimtar i gjykatës. Deri atëherë, ai konsiderohet i pafajshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve – qartazi diku ia kemi huqur

Latest from Blog

Go toTop