Sipas mediave gjermane, ngjarja tragjike ka ndodhur në autostradën A5, pranë Appenweierit, ku janë përfshirë disa automjete. Si pasojë e përplasjes së fuqishme, dy të rejat që udhëtonin në të njëjtën veturë kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Viktimat janë identifikuar si E. Zubaku, 24 vjeçe, dhe A. Zubaku, 18 vjeçe, nga fshati Topanicë i Kamenicës. Lajmi për vdekjen e tyre është konfirmuar edhe nga familjarët.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti dyshohet se ndodhi gjatë një tentative për ndërrimin e korsisë, çka çoi në një përplasje me shpejtësi të lartë mes dy automjeteve. Më pas, incidenti u shndërrua në një aksident zinxhiror ku u përfshinë gjithsej pesë vetura.
Përveç dy viktimave, një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë në aksident kanë shpëtuar pa pasoja serioze.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik që ka tronditur familjet e viktimave dhe komunitetin shqiptar në Gjermani.