Gjiganti gjerman i automobilizmit, BMW, ka prezantuar modelin më të ri elektrik, BMW iX3 Neue Klasse, i cili konsiderohet si një nga projektet më ambicioze të kompanisë për epokën e re të veturave elektrike.
Modeli i ri pritet të dalë në tregun evropian gjatë vitit 2026 dhe sjell ndryshime të mëdha si në dizajn, ashtu edhe në teknologji, performancë dhe autonomi.
Sipas mediave ndërkombëtare, BMW iX3 i ri do të jetë modeli i parë që ndërtohet mbi platformën “Neue Klasse”, e zhvilluar posaçërisht për gjeneratën e ardhshme të automjeteve elektrike.
Vëmendjen më të madhe e merr autonomia e lartë, pasi vetura pritet të arrijë deri në 805 kilometra me një karikim të vetëm, sipas standardit WLTP.
Modeli do të pajiset me dy motorë elektrikë dhe sistemin xDrive, ndërsa fuqia totale arrin deri në 469 kuaj fuqi. Përshpejtimi nga 0 në 100 kilometra në orë realizohet për rreth 4.9 sekonda.
BMW ka investuar gjithashtu në teknologjinë e karikimit ultra të shpejtë. Kompania pretendon se me vetëm 10 minuta karikim, vetura mund të fitojë deri në mbi 300 kilometra autonomi.
Në pjesën e brendshme, iX3 sjell konceptin e ri “Panoramic iDrive”, ekran gjigant 17.9 inç dhe sistem të avancuar digjital, i cili pritet të ndryshojë mënyrën e përdorimit të automjeteve BMW në të ardhmen.
Ekspertët e industrisë automobilistike e shohin këtë model si përgjigjen më të fortë të BMW-së ndaj konkurrencës në rritje në tregun e veturave elektrike, ku dominimi po sfidohet nga kompani si Tesla dhe prodhuesit kinezë.
Sipas raportimeve, çmimi fillestar i modelit të ri në Evropë pritet të jetë rreth 68 mijë euro.