08.09.2026
1 min read

Berisha sulmon Beogradin pas varrimit të Mladiçit: Glorifikimi i kriminelëve është alarm për Ballkanin

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas varrimit në Beograd të ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mladiç, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Berisha akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe udhëheqjen në Beograd për glorifikimin e Mladiçit, duke e cilësuar ceremoninë dhe nderimet ndaj tij si një sfidë ndaj botës së qytetëruar. 

Sipas Berishës, mënyra se si u nderua Mladiçi tregon se krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje vazhdojnë të trajtohen me admirim nga qarqe të caktuara politike në Serbi.

Ai e cilësoi ceremoninë si një fyerje të rëndë ndaj viktimave të Mladiçit dhe argumentoi se glorifikimi i tij dëshmon se Serbia vazhdon të përbëjë kërcënim për fqinjët, paqen dhe stabilitetin në rajon. 

Ratko Mladiç u varros të hënën në Beograd, në një ceremoni ku morën pjesë mijëra njerëz. Arkivoli i tij u shoqërua nga ushtarë, ndërsa në ceremoni morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë serbe. Presidenti Aleksandar Vuçiç nuk ishte i pranishëm, por mori pjesë djali i tij, Danilo Vuçiç. 

Mladiçi ishte dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995, ku u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe për krime të lidhura me rrethimin e Sarajevës. Ai vdiq në Hagë më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm. 

Edhe Bashkimi Evropian ka dënuar glorifikimin e Mladiçit, duke theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat themelore evropiane. 

Burimi: Reuters / deklarata e Sali Berishës

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Kulla Eiffel mbyllet pas protestës së stafit, punonjëset gra u larguan nga vendet e punës gjatë vizitës së një grupi fetar

Next Story

Realizohet operacioni policor “Muzgu”, sekuestrohen narkotikë dhe armë

Latest from Blog

Go toTop