Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në një kantier ndërtimi në Ferizaj, pasi gjatë inspektimit janë konstatuar shkelje serioze të rregullave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas Inspektoratit, parregullsitë e evidentuara në kantier paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Për këtë arsye, është marrë vendim që punimet të pezullohen deri në eliminimin e plotë të mangësive të konstatuara.
Punimet në këtë kantier do të mund të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të verifikojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e përcaktuara për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
“Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Inspektorati Qendror i Punës ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa ndaj subjekteve që nuk respektojnë standardet dhe cenojnë sigurinë e punëtorëve do të ndërmerren masat përkatëse.
Edhe më herët në Ferizaj janë evidentuar raste në sektorin e ndërtimit ku kushtet në kantier kanë paraqitur rrezik për sigurinë e punëtorëve.