Një 17-vjeçar dyshohet se është larguar nga një stacion policor në Prizren, pasi paraprakisht kishte dëmtuar grilat e një dritareje të dhomës ku po qëndronte në pritje për t’u intervistuar.
Rasti ka ndodhur të enjten, më 10 shtator, rreth orës 23:00.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, i mituri ishte sjellë në stacion policor dhe po priste ardhjen e hetuesve rajonalë për t’u intervistuar lidhur me një rast të iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Para se të zhvillohej intervistimi, 17-vjeçari dyshohet se ka hapur një nga dritaret e dhomës ku ndodhej dhe ka dëmtuar grilat, duke arritur më pas të largohet nga objekti policor.
Menjëherë pas konstatimit të largimit të tij, janë njoftuar patrullat policore, të cilat kanë nisur kërkimet për lokalizimin e të miturit.
Deri në momentin e përpilimit të raportit policor, ai nuk ishte lokalizuar.
Lidhur me incidentin janë njoftuar hetuesi policor dhe Prokurori kujdestar. Me udhëzim të Prokurorit, ndaj të miturit është iniciuar edhe një rast për veprën “Asgjësim apo dëmtim i pronës”, lidhur me dëmtimin e pronës së Policisë së Kosovës.
Kështu, 17-vjeçari, i cili fillimisht pritej të intervistohej lidhur me dyshimet për sulm ndaj një personi zyrtar, tashmë po kërkohet nga Policia edhe pas incidentit të ndodhur brenda stacionit policor.