Anëtarja e re e Vetëvendosjes, Krenare Çerkini, në punimin e saj shkencor kishte analizuar dhe krahasuar retorikën e kryeministrit Albin Kurti me atë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke evidentuar ngjashmëri në mënyrën e ndërtimit të diskursit politik.
Çerkini, e cila u prezantua të dielën si aderimi më i ri në Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Kurtit është duke ndjekur studimet e doktoraturës në Bruksel.
Në punimin shkencor “Discursive polarization in the construction of contested statehood: positive self and negative other in the Kosovo–Serbia conflict”, të bashkautoruar me Thora Tenbrik, ajo përmend Kurtin 19 herë.
Në një pjesë të analizës, Çerkini vlerëson se, ndonëse Kurti dhe Vuçiq përfaqësojnë palë kundërshtare, retorika e tyre shfaq ngjashmëri në përdorimin e gjuhës populiste dhe morale.
Sipas punimit, të dy liderët përdorin forma të ngjashme diskursive, si thirrjet ndaj “qytetarëve tanë” apo “fëmijëve tanë”, shprehje mobilizuese si “kurrë më” dhe “duhet ta mbrojmë popullin tonë”, si dhe paraqitjen negative të palës tjetër.
Autorja e lidh këtë me atë që e quan “izomorfizëm diskursiv”, ku palët kanë qëllime të ndryshme politike, por përdorin mekanizma të ngjashëm retorikë dhe emocionalë për të ndërtuar mesazhin publik.
Në punim thuhet se të dhënat sasiore tregojnë përputhje në profilet e akteve të të folurit të Kurtit dhe Vuçiqit, sidomos në shprehjet emocionale, të cilat lëvizin në nivelin 47 deri në 52 për qind.
Sipas analizës, temat e ngjashme diskursive, si vetëparaqitja pozitive, paraqitja negative e tjetrit, drejtësia morale dhe legjitimiteti mbrojtës, ndikojnë në vazhdimësinë e diskursit mbi sovranitetin e kontestuar.
