17.09.2026
2 mins read

Andin Hoti: Me dy duar do ta votoja zhbërjen e Gjykatës Speciale

Ministri për Punën, Familjen dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti, njëherësh djali i veprimtarit Ukshin Hoti, ka deklaruar se do ta mbështeste pa hezitim një nismë për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Në një intervistë për Euronews Albania, Hoti tha se, po të ishte ende deputet, do ta votonte një nismë të tillë “me dy duar”, duke theksuar megjithatë se për ndryshimet kushtetuese nevojiten edhe votat e deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.

“Unë jam ministër tash, por kam qenë edhe deputet. Me dëshirën më të madhe do ta votoja me dy duar zhbërjen e Gjykatës Speciale, por ne kemi një Kushtetutë”, deklaroi Hoti.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara janë të parashikuara në nenin 162, të miratuar përmes amendamentimit kushtetues të vitit 2015. Ndryshimi i dispozitave kushtetuese kërkon shumicën e cilësuar të Kuvendit, përfshirë shumicën e nevojshme të deputetëve që mbajnë ulëse të garantuara për komunitetet joshumicë.

Hoti shprehu gjithashtu dyshime nëse një nismë për zhbërjen e Speciales do të siguronte mbështetjen e nevojshme politike në Kuvend.

“Unë nuk besoj se, po të ishte në dorën e deputetëve, do të votohej kjo punë”, tha ai.

Deklaratat e Hotit erdhën pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Pas vendimit, ai kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, drejtësia ndërkombëtare ka trajtuar Kosovën dhe luftën e viteve 1998–1999.

Hoti deklaroi se, sipas vlerësimit të tij, drejtësia ndërkombëtare në këtë rast “shpërblen agresorin dhe dënon viktimën”, ndërsa Gjykatën Speciale e cilësoi si institucion të krijuar politikisht.

Ai theksoi se për të personat e dënuar nga Specialja mbeten figura të luftës çlirimtare të Kosovës, ndërsa foli edhe për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.

Hoti e lidhi emocionalisht zhvillimin e fundit edhe me historinë e babait të tij, Ukshin Hotit, duke thënë se procesi në Hagë ia kishte kujtuar gjykimin e të atit nga autoritetet serbe në vitet ’90. Ukshin Hoti vazhdon të konsiderohet i zhdukur që nga maji i vitit 1999.

“Për mua ka qenë një moment emocional, sepse më kujtoi procesin e babait tim”, tha Hoti, duke e lidhur këtë me dhimbjen e familjeve që vazhdojnë të kërkojnë personat e zhdukur nga lufta.

Pas aktgjykimit të 16 shtatorit, Hoti kishte reaguar edhe publikisht me mesazhin “JO NË EMËR TIM”, duke kundërshtuar dënimet e shqiptuara nga Dhomat e Specializuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Haga e lidhi Thaçin me rastin Allaqi – Dokumenti i vitit 2000 sjell version tjetër nga ai i Hagës

Next Story

Edward Joseph pas vendimit në Hagë: “Pas glorifikimit të Mlladiqit nga Serbia, pasojat do të jenë dyfish negative”

Latest from Blog

Go toTop